Our Posts

Tatime, metodat alternative të vlerësimit tatimor – ndryshime thelbësore në ligjin e procedurave tatimore

Ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore nr. 9920/2008, me Ligjin Nr. 83/2022, datë 24.11.2022, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 173, datë 22 Dhjetor 2022, kanë futur në legjislacionin procedurial tatimor duke i dhënë një mundësi të re të vlerësimit tatimor Administratës tatimore. Bëhet fjalë për nenin 71/2 të këtij ligji të titulluar “Përdorimi i metodave alternative të vlerësimit në rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor” me të cilin i jepet Administratës tatimore mundësia që “të mos marrë në konsideratë marrëveshje ose seri marrëveshjesh të lidhura ndërmjet tatimpaguesve, të cilat kanë si qëllim kryesor apo një ndër qëllimet kryesore sigurimin e përfitimeve tatimore”.

Ky parashikim, edhe pse në përmbajtje duket konform akteve të OECD, jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së B.E – së dhe parashikimeve normative në Direktivat brenda B.E.- së, në të vërtetë mund të kthehet në problem të rëndësishëm për sa i përket aplikimit të tij në praktikë. Janë të paqarta dhe jo të rregulluara saktë, me këto ndryshime, situatat që lidhen me periudhën kohore të aplikimit të mosnjohjes së marrëveshjeve midis tatimpaguesve nga administrata tatimore, garancitë proceduriale të tatimpaguesve që lidhen me një procedurë të tillë agresive tatimore, mundësitë që tatimpaguesi të kërkojë nga administrata tatimore interpretim/aprovim paraprak të marrëveshjeve tregtare, përllogaritjes së vlerave dhe impaktit që këto vendime sjellin ndaj subjekteve tregtare.

http://legalealbania.com