Ndryshon përbërja e Komisionit të Çmimit të Barnave dhe procedurat e përcaktimit dhe deklarimit të çmimeve të barnave
Në Fletoren Zyrtare nr. 64, datë 27.03.2026 është publikuar dhe ka hyrë në fuqi me botimin e saj, Vendimi nr. 198, datë 26.03.2026 i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 645, datë 01.10.2014 “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, të ndryshuar”.
Ky Vendim sjell një sërë ndryshimesh në organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Çmimit të Barnave, si dhe në procedurat e përcaktimit të çmimeve të barnave në Republikën e Shqipërisë. Konkretisht, është ndryshuar përbërja e Komisionit, duke rritur përfaqësimin e Ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë nga një në dy anëtarë. Mënyra e krahasimit të çmimeve është ndryshuar, duke u bazuar tashmë në çmimet CIF të shteteve referente: Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni e Veriut dhe Kroaci, në vend të çmimeve të tregtimit me shumicë siç përcaktohej më parë. Njëkohësisht, është ndryshuar metodologjia e përcaktimit të çmimit të referencës, ku ndryshe nga parashikimi i mëparshëm i cili merrte si bazë çmimin më të ulët që aplikohej ndër pesë shtetet referente, tashmë përcaktohet se do merret çmimi mesatar i tre çmimeve më të ulëta, që aplikohet ndër pesë shtetet referente.
Në këtë Vendim janë ndryshuar afatet procedurale, përkatësisht, afati i deklarimit të çmimeve nga mbajtësi i autorizimit të tregtimit ose përfaqësuesi i tij ligjor, nga data 31 tetor është zhvendosur duke u afruar më 30 shtator të çdo viti, afati i njoftimit nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë për deklarimin e çmimeve nga 30 shtator në 1 shtator, si dhe datën e mbledhjes së Komisionit për hapjen e zarfeve të çmimeve të deklaruara nga 5 nëntor në 5 tetor të çdo viti.
Vendimi zgjeron gjithashtu fushën e zbatimit duke përfshirë barnat biosimilare krahas atyre gjenerike. Në dispozitat e fundit të Vendimit përcaktohet se, Komisioni i Çmimit të Barnave duhet të kryejë rivlerësimin e çmimeve të miratuara për vitin 2026 brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e tij.
Për më shumë informacion: [email protected]
Legale Albania
http://legalealbania.com