Our Posts

Leje Unike të qëndrimit për të huajt (ortak dhe Administrator i një shoqërie tregtare) – Interpretim i Policisë së Shtetit Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit

“Legale Albania” me një eksperiencë të gjatë në konsulencën e subjekteve tregtare vendase dhe të huaja (veçanërisht), asiston në mënyrë të vazhdueshme shtetasit e huaj për ndjekjen e procedurave të lejeve të qëndrimit të cilët punojnë në Republikën e Shqipërisë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, janë në rolin e administratorit, të ortakut apo të dyja njëkohësisht.

Në kuptim të legjislacionit shqiptar për migracionin, të dyja kategoritë e shtetasve të huaj hyjnë në Shqipëri për motive punësimi. Megjithatë, pozita e tyre në llojin e lejes së qëndrimit që ato aplikojnë ndryshon sipas angazhimit dhe cilësisë së tyre në raportin e punës për të cilën legjislacioni për të huajt shpesh herë lë vend për interpretime të ndryshme, për këtë arsye kemi kërkuar një interpretim zyrtar të legjislacionit në fuqi për trajtimin e pozitës së tyre ligjore dhe për këtë rast, i jemi drejtuar Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit.

Diferencat në trajtim, sipas përgjigjes së Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, janë këto: nëse një i huaj është i punësuar në një shoqëri tregtare, në pozicionin e Administratorit, por nuk është ortak i shoqërisë, atëherë ai është person i punësuar në Shoqëri dhe pajiset me Leje Unike si i punësuar. Nëse një i huaj është i punësuar në një shoqëri tregtare, në pozicionin e Administratorit, por është njëkohësisht dhe ortak i shoqërisë, atëherë ai është person i vetëpunesuar në Shoqërine e tij dhe pajiset me Leje Unike si i vetëpunësuar.

Administratori mund ta drejtojë shoqërinë e tij duke qëndruar në territorin e Republikës së Shqipërisë ose nga një vend tjetër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Nëse Administratori (i huaji), për arsye të justifikuara, nuk mund të qëndrojë brenda territorit të RSH, deri në 180 ditë, ateherë ai njofton më parë në DVKM për arsyet e largimit nga Shqipëria (neni 36, Ligji 79/2021 “Për të huajt”). Nëse i huaji, administrator, si i punësuar apo vetëpunësuar, kërkon të qëndrojë në Shqipëri, për qëndrimin e të cilit kërkohet një Leje për të qendruar, atëherë ai duhet të plotesoje kushtet për t’u pajisur me Leje Unike.

Për sa i perket akomodimit, legjislacioni nuk e kufizon se ku duhet të qëndrojë i huaji. Mjafton që të provojë se ka të siguruar akomodim të përshtatshëm për të gjithë afatin e qëndrimit, për të cilin kërkon të pajiset me Leje Unike (VKM nr.858, date 29.12.2021, Kreu III/B/3).

Për më shumë informacion: [email protected]

http://legalealbania.com