Our Posts

Gjykim administrativ – Kontroll kushtetues i dispozitave të Ligjit nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i ndryshuar

Studio ligjore “Legale Albania”, përfaqësuar nga Av. Dr. Lulzim Alushaj në bashkëpunim me Av. Xhesilda Balashi dhe Av. Eva Priska, në një gjykim administrativ prane Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë ku përfaqëson një subjekt tregtar subjekt i parashikimeve të ligjit nr. 112/2020, ka paraqitur pranë kësaj së fundit kërkesë proceduriale për kontrollin incidental kushtetues të paragrafit 4 të nenit 13 dhe paragrafit 6 të nenit 15/1 të Ligjit nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues” i ndryshuar në raport me një sërë parashikimesh të tjera kushtetuese.

Kjo kërkesë ka ardhur si pasojë e një rasti konkret ku QKB-ja bazuar në dispozitat e lartpërmendura, ka interpretuar ligjin dhe më tej  ndryshuar statusin e Shoqërisë nga “aktiv” në statusin “të pezulluar” në Regjistrin Tregtar deri në pagesën e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues. Në vijim, Shoqëria ka kryer aplikim për ndryshimin e selisë ligjore, një e dhënë e detyrueshme për çdo person juridik, e cila po ashtu është refuzuar prej këtij institucioni, bazuar në paragrafin 4 të nenit 13 dhe paragrafin 6 të nenit 15/1 të Ligjit nr. 112/2020, i ndryshuar.

Aplikimi i këtyre dispozitave dhe masat e rënda të parashikuara në to, cënojnë në mënyrë flagrante të drejtat e liritë themelore të Shoqërisë dhe çdo personi juridik, të garantuara jo vetëm nga Kushtetuta por dhe nga e drejta ndërkombëtare të cilën Shqipëria ka ratifikuar. Pikërisht këto masa drastike, pezullimi i aktivitetit dhe më tej moslejimi i regjistrimit të selisë ligjore të shoqërisë, cënon qëllimin për të cilën është themeluar kjo shoqëri, pra të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë ekonomike dhe të bërit biznes për të cilat nuk gjen përputhshmëri as me acquis communautaire dhe jurisprudencën e gjykatës evropiane të drejtësisë. Rrjedhimisht, ky rast është bërë shkas që të kërkohet, përgjatë gjykimit administrativ, interpetim në nivel kushtetutues jo vetëm për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të shoqërisë por edhe të çdo personi juridik që regjistrohet sipas të drejtës shqiptare.

Do të jetë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e cila do vlerësojë në qoftë se janë kushtet për të drejtuar nje kërkese Gjykatës Kushtetuese mbi kontrollin kushtetues të ligjit.

Për më shumë informacion: [email protected]

http://legalealbania.com