Our Posts

Pronarët përfitues Vendim i Gjykatës së drejtësisë së B.E. – së Seksioni i Madh

Në Republikën e Shqipërisë, prej vitit 2020, ka hyrë në fuqi ligji nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues” i cili ka pësuar një ndryshim të shpejtë edhe me ligjin nr. 6/2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”.

Duke qenë një ligj kombëtar i përafruar pjesërisht me direktivën (BE) 2015/849 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 20 maj 2015, “Për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit” merr vlerë dhe rëndësi jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së B.E. – së mbi aspektet rregulluese të Direktivës më sipër cituar.

Së fundmi, nëpërmjet mekanizmit të prononcimit paragjyqësor, sipas parashikimit të nenit  267 të Traktatit mbi funksionimin e B.E.- së, tribunal d’arrondissement de Luxembourg ka paraqitur pranë Gjykatës së Drejtësisë dy kërkesa për interpretimin e Gjykatës për sa i përket refuzimit të kërkesës së bërë nga pronari përfitues ndaj autoritetit publik që administron të dhënat e pronarëve përfitues në Luksemburg për të ndaluar aksesin e publikut mbi informacionet e pronarit përfitues.

Gjykata e drejtësisë, pasi merr në shqyrtim institutet e: aksesit të publikut në informacionet e pronarëve përfitues – Nenet 7 dhe 8 të Kartës të së drejtave themelore në B.E. që mbrojnë të drejtat themelore si respekti ndaj jetës private dhe familjare, mbrojtja e të dhënave përsonale, me vendimin e Seksionit të Madh të saj datë 22.11.2022 ka vendosur që neni 1, pika 15, shkronja c) e direktivës (BE) 2018/843 e Parlamentit europian dhe Këshillit është e pavlefshme në pjesën ku parashikohet që shtetet anëtare marrin masa që të dhënat dhe informacionet mbi pronarët përfitues të jenë të aksesueshme në çdo rast nga publiku.

Me këtë vendim të Gjykatës së drejtesisë kufizohet dhe ekuilibrohet ndërhyrja e organeve publike të shteteve anëtare në aspekte të jetës private dhe familjare, në parashikime të mbrojtjes të të dhënave përsonale.

Për më shumë informacion: [email protected]

http://legalealbania.com