Our Posts

Interpretim interesant i Gjykatës së Lartë Marrëdhënia e punës në rastin e transferimit të ndërmarrjes dhe pushimit kolektiv.

Jurisprudenca e Gjykatës së Lartë në çështjet gjyqësore me objekt “marrëdhënie pune”, pasurohet edhe me një vendim tjetër. Në vendimin nr. 00-2022-946 (215), datë 06.06.2022 të Kolegjeve të Gjykatë së Lartë është shqyrtuar një çështje gjyqësore lidhur me shoqërinë X, e cila me marrëveshje i dorëzon puse dhe asete, si dhe transferon listën e punonjësve të saj, shoqërisë Y. Pas këtij momenti, shoqëria Y fillon procedurat e reduktimit të punonjësve duke e trajtuar si pushim kolektiv të punonjësve që ishin transferuar. Në fakt, Kodi i Punës përcakton se, kur ndodh transferimi i ndërmarrjes apo i një pjese të saj, transferuesit të të drejtave nuk i shuhen të gjitha detyrimet karshi punëmarrësve, përkundrazi transferuesi i të drejtave përgjigjet krahas atij që i merr këto të drejta për detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës. Kolegji vlerësoi se, në rastin konkret, ndodhemi përpara transferimit të ndërmarrjes dhe për rrjedhojë, ka pasur kalim të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga kontratat e punës që punonjësit kanë patur me shoqërinë X, tek shoqëria Y. Rrjedhimisht, Kolegji ka vlerësuar se, pasi është kryer transferimi i kësaj pjese të ndërmarrjes, shoqëria Y ka marrë përsipër që të respektojë të gjitha kontratat e punës, që kanë qenë në fuqi para transferimit, me të njëjtat të drejta dhe të njëjtat detyrime në sasi dhe cilësi sikur i ka patur Shoqëria X.

Në vijim, Kolegji ka konstatuar se, ndodhemi gjithashtu para pushimit kolektiv dhe se është e detyrueshme nga ana e punëdhënësit për të respektuar procedurën e pushimit kolektiv, sipas parashikimeve të nenit 148 të Kodit të Punës, përndryshe ai ngarkohet me përgjegjësi civile, duke u detyruar të dëmshpërblejë punëmarrësin.

Duke arritur në konkluzionin se jemi para pushimit kolektiv nga puna dhe para transferimit të ndërmarrjes, Kolegji vlerësoi se punëdhënësi Y ka përgjegjësinë për të dëmshpërblyer punëmarrësit për procedurën e afatit të njoftimit dhe njëkohësisht, detyrohet ta shpërblejë punëmarrësin për vjetërsi në punë, në formë vlerësimi material.

Për më shumë informacion: [email protected]

http://legalealbania.com