Our Posts

KUJDES/Risi në mbledhjen e borxhit tatimor – Ndryshim në Udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”

Më datë 12.11.2020 është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 197, Udhëzimi nr. 44, datë 09.11.2020 “Për një ndryshim në Udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ndryshon përgjegjësia e pagesës së borxhit tatimor duke u përfshirë, në rast mospagese nga subjekti tatimor, ortakët, aksionarët dhe Administratorët e këtyre subjekteve.

Ky Udhëzim ndryshon totalisht pikën 90.1 të Udhëzimit për sa i përket datës së mospagimit në mënyrë vullnetare të detyrimeve tatimore, organit/titullarit përgjegjës për mbledhjen e detyrimeve të papaguara, dërgimit të urdhërit të bllokimit në format elektronik mes administratës tatimore dhe bankës, elementët që duhet të përmbajë një urdhër bllokimi me qëllim që të procedohet me vendosjen e masës së bllokimit të llogarive/depozitave nga banka si dhe procedurës që ndiqet.

Ndërkohë, kur urdhri i bllokimit përmban elementet e përcaktuar, Banka, brenda ditës së nesërme të punës nga dita e marrjes së urdhrit, bën bllokimin e llogarive/depozitave të tatimpaguesit, deri në shumën e detyrimit tatimor të papaguar dhe brenda 5 ditëve pune nga marrja e urdhrit njofton administratën tatimore për gjendjet e llogarive/depozitave të tatimpaguesit. Gjithashtu, brenda këtij afati banka bën njoftimin e debitorit me shkrim ose në mënyrë elektronike për marrjen e urdhrit të bllokimit.

Risia tjetër qëndron se, në zbatim të nenit 99, të ligjit nr. 9920/2008, nëse pas zbatimit ndaj subjektit të të gjitha masave shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit, detyrimet tatimore të personit juridik nuk shlyhen plotësisht, administrata tatimore e transferon detyrimin tatimor të mbetur të subjektit tek ortaku, aksionari dhe administratori.

Një urdhër bllokimi do të jetë i vlefshëm për një periudhe 12-mujore nga dita e vendosjes së masës së bllokimit të llogarive/depozitave. Me kalimin e këtij afati, llogaritë/depozitat zhbllokohen automatikisht nga banka pa nevojën e ndonjë njoftimi shtesë.

Për më shumë informacion na kontaktoni në: [email protected]

http://legalealbania.com