Our Posts

Nxitja e punësimit gjatë periudhës së Covid-19

Ditën e djeshme është përditësuar Vendimi nr. 608, datë 29.07.2020 i Këshillit të Ministrave “Për procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit të personave të dalë të papunë si pasojë e Covid-19”, me vendimin nr. 699 datë 10.09.2020 “Për një ndryshim në vendimin nr. 608, datë 29.07.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit të personave të dalë të papunë, si pasojë e Covid-19” përmes të cilit synohet të mbështeten punëkërkuesit e papunë, të cilët kanë dalë të tillë si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të bizneseve, në zbatim të akteve ligjore e nënligjore, për parandalimin e përhapjes së pandemisë në kushtet e fatkeqësisë natyrore.

Nëpërmjet financimit të pagës dhe kontributeve të detyrueshme shoqërore, ky program nxit krijimin e vendeve të punës dhe mbështet tregtarët dhe shoqëritë tregtare në procesin e rimëkëmbjes. Programi i punësimit parashikon punësim në periudha 4, 8 ose 12-mujore, në përshtatje me profilin dhe nevojat e punëkërkuesit sipas vendit të lirë të punës.

Për programin e punësimit katërmujor programi subvencionon financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës si dhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi. Për programin e punësimit tetëmujor subvencionohet financimi i pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës si dhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore. Ndërsa për programin e punësimit 12 mujor, programi subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi.

Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19 nga data 10 Mars 2020 deri ne daten 23 Qershor 2020, të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrën e punës, si dhe ata të cilët deklarojnë se kanë qenë të punësuar por nuk evidentohen si të tillë në Drejtorinë e Përgjithshme    të Tatimeve dhe regjistrohen në zyrën e punësimit. Programi zbatohet në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit të papunë për t’u integruar në tregun e punës dhe me planin individual për punësimin e tij.

Për më shumë informacion na kontaktoni në: [email protected]

http://www.legalealbania.com