Our Posts

Hyn në fuqi procedura e aplikimit për regjistrimin dhe publikimin e të dhënave në Regjistrin e Pronarëve Përfitues

Me publikimin në Fletoren Zyrtare nr. 233, datë 30.12.2020 është publikuar Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 1088 i datës 24.12.2020 “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”.

Sipas këtij vendimi, aplikimi për regjistrimin fillestar dhe/ose për përditësimin ose ndryshimin e të dhënave për pronarët përfitues bëhet nga personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues nëpërmjet sportelit elektronik të QKB-së, pasi të identifikohet elektronikisht nëpërmjet autentifikimit nga portali unik i shërbimeve qeveritare e-Albania. Pas përzgjedhjes së llojit të regjistrimit, sistemi i informatizuar shfaq formularin përkatës të aplikimit, sipas formatit të miratuar dhe hap dosjen elektronike, e cila mban numrin përkatës (një numër për çdo dosje ose aplikim) të dhënë nga sistemi i informatizuar.

Personi i autorizuar, nëpërmjet plotësimit të të gjitha të dhënave sipas fushave të formularëve të miratuar deklaron, në përputhje me ligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues për kryerjen e regjistrimit të kërkuar dhe paraqet dokumentacionin shoqërues përkatës. Subjektet raportuese ekzistuese regjistrojnë të dhënat për pronarët e tyre përfitues jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i Regjistrit të Pronarëve Përfitues.

Ndërkohë, në funksion të përmbushjes së detyrimit ligjor për identifikimin, raportimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues janë parashikuar masat ndëshkuese në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, brenda afatit të parashikuar në ligj. Mosregjistrimi i të dhënave për pronarin ose aksionerin e një shoqërie ose organizate jofitimprurese do të dënohet me gjobë në vlerën 500 000 (pesë qind mijë) Lekë. Ndërsa, mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, dënohet me gjobë në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) Lekë. Gjithashtu edhe përfaqësuesi ligjor, në rast mosregjistrimi dënohet me gjobë prej 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) Lekësh.

Ky vendim vjen në kuadër të zbatimit të detyrimit për përafrim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së (Direktiva BE 2015/849 të Parlamentit dhe e Këshillit) dhe në funksion të rritjes së transparencës e të marrjes së masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Për më shumë informacion na kontaktoni në: [email protected]

http://www.legalealbania.com